Bize-Martanesh


martanesh

(kategoria e V, VKM nr.49 date  31.07.2007)

Është ndër zonat më të reja të shpallura në mbrojtje nga Qeveria Shqiptare (VKM 49, 2007). Kjo zonë kufizohet ngushtë me Parkun Kombëtar të Dajtit (të zgjeruar), nga veriperëndimi i saj, dhe është, gjithashtu, ekologjikisht e lidhur ngushtë edhe me pellgun e Bovillës dhe Parkun Kombëtar të Qafështamës, që ndodhen më në veriperëndim, duke qenë vazhdim natyror i njëri-tjetrit.

Peizazhi i Mbrojtur i Malit me Gropa-Bizë-Martanesh ka sipërfaqe prej rreth 252.7 km2, ku përfshihen 182.9 km2 pyje, ripyllëzime, pyje të rrallë ose tokë me bimësi pyjore, 14.5 km2 sipërfaqe bujqësore dhe pemëtore, rreth 54.7 km2 kullota, livadhe me bimësi të rrallë dhe 0.4 km2 troje urbane, e përzier me tokë bujqësore, pemishte e pyje. Zona e mbrojtur është e ndarë nga një sistem zonimi për ruajtjen dhe administrimin: Zona qendrore (137.53 km2) përfshin habitatet pyjore natyrore të Brozh-Bardhetit, Snoit të Madh e të Vogël, Bizës,Ballenjës, Martaneshit, Panjetit dhe pjesë të pyjeve të Kostenjës; këto konsiderohen me vlera të larta natyrore dhe biologjike (kategoria IV e mbrojtjes) dhe ruhen të pashqetësuara dhe në përputhje me kriteret e administrimit të zonave të mbrojtura në nivel kombëtar. Në zonën e përdorimit të qëndrueshëm (rreth 30 km2) lejohen veprimtaritë ekonomike, si dhe mund të ushtrohen veprimtari të reja, vetëm pasi të pajisen me lejet përkatëse (IV). Këtu përfshihen pyjet e Fagut, ato rreth Shëngjinit të Madh, të Vërrisë, të Linosit dhe të Peshk-Lenës. Në zonën e përdorimit tradicional (rreth 76.9 km2) mundësohet vazhdimi i veprimtarive tradicionale dhe ekonomike (V); këtu përfshihen territoret bujqësore, pyjore e kullosore, si dhe ato rreth qendrave të banuara, të Malit me Gropa, Bizës dhe pjesë të Martaneshit. Zona rekreative (çlodhëse) (8.3 km2) përfshin zonën me mundësi çlodhëse në natyrë të hapur, në përputhje me funksionet e zonës së mbrojtur, vlerat ekologjike, të peizazhit natyror dhe vlerat turistike e kulturore (IV); këtu përfshihen Lugina e Valit, pjesë të Malit me Gropa dhe rajoni rreth teqesë së Martaneshit. Mali me Gropa karakterizohet nga peizazhi më tipik i karstit në Shqipëri; kurrizi i tij është i mbushur gropa, hinka dhe puse të shumta karstike (Fig. 12- 8b), nga ku edhe merr emrin, që shpesh vishen me livadhe dhe kullota malore me florë dhe bimësi të pasur. Si tillë ky peizazh bën pjesë lë listën e monumenteve natyrore shqiptare (gjeomonumenteve)